QËNDRONI VIGJILENTË!
Shkencëtarët çojnë përpara akrepat e Orës së Fundit të Botës—Çfarë thotë Bibla?
Më 24 janar 2023, shkencëtarët i çuan akrepat e Orës së Fundit të Botës a më afër mesnatës, orari që përfaqëson fundin e botës.
«Këtë të martë ‘Ora e Fundit të Botës’, që simbolizon rreziqet që i kanosen njerëzimit, iu afrua më shumë se kurrë mesnatës, për shkak të luftës në Ukrainë, të tensioneve bërthamore dhe të krizës klimatike.»—AFP International Text Wire.
«Shkencëtarët bënë të ditur të martën se ‘Ora e Fundit të Botës’ ka lëvizur në 90 sekonda para mesnatës. Njerëzimi s’ka qenë kurrë kaq afër armagedonit sa ç’është sot.»—ABC News.
«Një panel me shkencëtarë nga mbarë bota ka paralajmëruar se ekzistenca e njerëzimit është në rrezik më tepër se kurrë më parë.»—The Guardian.
A po i vjen fundi njerëzimit dhe planetit tonë? A ka arsye ta presim me frikë të ardhmen? Çfarë thotë Bibla?
Çfarë do të sjellë e ardhmja
Bibla thotë se «toka qëndron përjetë» dhe se do të ketë njerëz që «do të banojnë përgjithmonë në të». (Eklisiastiu 1:4; Psalmi 37:29) Pra, njerëzit nuk do ta shkatërrojnë tokën dhe as do ta bëjnë të pabanueshëm planetin tonë.
Gjithsesi, Bibla flet për një fund. Për shembull, në të thuhet se «bota po kalon».—1 Gjonit 2:17.
Për të kuptuar se ku e ka fjalën Bibla kur flet për fundin e botës, lexo artikullin «A po vjen fundi i botës? Çfarë është Apokalipsi?»
Për të mësuar çfarë thotë Bibla për ngjarjet botërore që presim në të ardhmen, lexo artikullin «Kur do të vijë fundi i botës?»
Të mos e humbim optimizmin
Bibla na ndihmon të mos e humbim optimizmin pavarësisht nga problemet që ka sot në botë. Si?
Ajo përmban këshilla praktike. (2 Timoteut 3:16, 17) Për shembull, lexo artikullin «Si ta mbash nën kontroll ankthin» për të kuptuar si mund të të ndihmojë Bibla që të jesh optimist pavarësisht nga sfidat e jetës.
Bibla siguron një shpresë të besueshme për të ardhmen. (Romakëve 15:4) Ajo shpjegon me saktësi se çfarë mund të presim tani e në të ardhmen, dhe kjo na ndihmon t’i përballojmë pa frikë ngjarjet botërore.
Që të nxjerrësh sa më shumë dobi nga Bibla, të ftojmë përzemërsisht të provosh falas që sot kursin tonë për studimin e Biblës me ndihmën e një mësuesi.
a «Ora e Fundit të Botës u krijua për të paralajmëruar publikun sa afër është shkatërrimi i botës si pasojë e teknologjive të rrezikshme të bëra nga dora e njeriut. Është një simbol, një përkujtues i rreziqeve që duhet të shmangim nëse duam të mbijetojmë në planetin tonë.»—Bulletin of the Atomic Scientists.