Një Sallë e re Asamblesh në pyjet e shiut të Amazonës
Në zemër të pyjeve të shiut të Amazonës të tërheq vëmendjen një Sallë e re Asamblesh e Dëshmitarëve të Jehovait. Pjesa më e madhe e pronës prej 52 hektarësh në veri të qytetit të Manausit, Brazil, është e mbuluar nga pylli indigjen. Papagajtë ngjyra-ngjyra, tukanët dhe zogj të tjerë krakëllijnë nga majat e pemëve cupuaçu, të arrave madhështore të Brazilit dhe të pemëve angelim pedra. Pse duhej ndërtuar një Sallë Asamblesh në këtë vend?
Qyteti i Manausit, që ndodhet 1.450 kilometra nga grykëderdhja e lumit Amazona, ka një popullsi prej thuajse dy milionë banorësh. Salla e re do të shërbejë për rreth 7.000 Dëshmitarët e Manausit dhe të qytezave përqark, përfshirë popullatat përgjatë Amazonës dhe degëve të saj. Qyteza më e largët, São Gabriel da Cachoeira, ndodhet më shumë se 800 kilometra në perëndim të Manausit. Për të ndjekur një asamble ose kongres në Sallën e Asambleve, disa Dëshmitarëve u duhet të lundrojnë për tri ditë.
Ndërtimi i Sallës së Asambleve në mes të rajonit të Amazonës ishte një punë e jashtëzakonshme. Ndër të tjera duheshin dërguar në rrugë ujore rreth 13 kontejnerë me materiale ndërtimi nga porti i Santos, San-Paulo, përgjatë bregut të Brazilit e më pas kundër rrjedhës së lumit Amazona, për të mbërritur në kantierin e ndërtimit.
Salla e re e Asambleve është e 27-ta e ndërtuar në Brazil. Të dielën më 4 maj, programin e kushtimit e ndoqën 1.956 veta. Shumë ishin të emocionuar ngaqë ndiqnin për herë të parë një mbledhje në një Sallë Asamblesh.
Auditori jo vetëm kishte mundësi ta dëgjonte oratorin, por edhe ta shihte. Ky ishte një ndryshim i mirëpritur, sepse në të kaluarën asambletë dhe kongreset mbaheshin në vende ku shumë nuk shihnin dot podiumin e jo më oratorin. Një Dëshmitar tha: «Kam ndjekur kongrese për shumë vjet, por nuk arrija kurrë të shihja një dramë biblike, vetëm sa e dëgjoja.» Tani të gjithë mund ta shohin skenën.