Kalo te përmbajtja

Video që të kënaqin zemrën

Video që të kënaqin zemrën

«Ishte sikur Jehovai t’u kishte lexuar zemrën prindërve.» Kështu u shpreh një baba nga Malajzia për serinë e filmave vizatimorë Bëhu mik i Jehovait.

Që kur dolën episodet e para, Dëshmitarët e Jehovait kanë nxjerrë një seri filmash vizatimorë me protagonistë Danielin dhe familjen e tij. Këto video, që tani disponohen në jw.org, u japin fëmijëve mësime të rëndësishme morale dhe frymore, si për shembull pse nuk duhet të vjedhin ose si mund t’i luten Perëndisë.

Videoja e parë e kësaj serie tashmë është përkthyer në 131 gjuhë, dhe prej saj nxjerrin dobi gjithë fëmijët anembanë globit.

Shprehen me entuziazëm

Një nënë e pesë fëmijëve shkroi: «Që kur e morëm javën e kaluar DVD-në Bindu! Dëgjo! Merr bekim!, e kemi parë rreth 50 herë.»

Mili, një 12-vjeçare nga Anglia, ka një vëlla 15 vjeç me emrin Tomas, i cili ka sindromin Daun. Ajo shkruan: «Tomasi i mban videot e Danielit në iPad-in e tij, që t’ua tregojë shokëve në shkollë. I pëlqejnë shumë këngët dhe i këndon kaq bukur sa bëri për të qarë një motër. Mahnitesh kur e sheh.»

Ava, që thotë se është 8 vjeçe, 9 muaj e 25 ditë, shkruan: «Danieli dhe motra e tij janë fantastikë, sepse u mësojnë shumë gjëra fëmijëve.»

Mikejla shkruan: «Jam gjashtë vjeçe. Faleminderit për DVD-në Bindu! Dëgjo! Merr bekim! Më mëson t’u bindem prindërve sepse kjo e bën të lumtur Jehovain.»

Kanë përmbajtje domethënëse

Një i ri që bën filma vizatimorë dhe nuk është Dëshmitar i Jehovait, pa videon Është gabim të vjedhësh. I bëri shumë përshtypje, sidomos kur mësoi sa pak veta e kishin bërë atë. Ai tha: «Njoh njerëz që punojnë për studio të mëdha dhe më të vogla që prodhojnë filma vizatimorë, dhe ndonjëherë jam kureshtar si është të punosh në vende të atilla. Por në fund të ditës, nga gjithë puna dhe përpjekjet e tyre del diçka që thjesht shkakton ca të qeshura për nja dy orë dhe kaq. Kurse filmat tuaj vizatimorë u ndryshojnë jetën fëmijëve, i mësojnë të dallojnë të drejtën nga e gabuara dhe i ndihmojnë të marrin vendime të mira. Po bëni diçka me vlerë, diçka që i ndihmon njerëzit.»

Prindërit anembanë botës janë më se dakord me këtë. Një nënë shkruan: «Kuini, djali im trevjeçar, po shihte videon Të fitojmë miqësinë e Jehovait. Në mes të këngës, ngriti kokën, më pa, vuri dorën e vockël në zemër dhe më tha: ‘Mami, kur shoh këtë, më kënaqet zemra.’ »