E morën për pastor
Osmani, bashkë me gruan dhe vajzën e tij, të cilët jetojnë në Kili, kishin dalë me stenda afër një varreze. Papritur, erdhi një kortezh i madh funerali duke luajtur muzikë funebër. Disa e ngatërruan Osmanin me pastorin evangjelist të kishës së tyre, ndaj iu afruan, e përqafuan dhe i thanë: «Pastor, shumë faleminderit që erdhe në kohë; po të prisnim.»
Edhe pse Osmani u përpoq të shpjegonte se nuk ishte pastori, turma e zhurmshme nuk arriti ta dëgjonte. Kur turma hyri në varreza, disa u kthyen dhe i thanë: «Pastor, pse po vonohesh?»
Sapo u qetësua disi situata, Osmani u tregoi se kush ishte dhe pse ndodhej aty. Pasi shprehën hapur zhgënjimin ndaj pastorit të tyre, e pyetën: «A mund të vish të na tregosh ca mendime nga Bibla?» Osmani ra dakord.
Rrugës për te varri, ai i pyeti për të ndjerën dhe mendoi për disa shkrime. Kur arriti, u prezantua dhe i shpjegoi turmës se ishte Dëshmitar i Jehovait dhe ata u flasin njerëzve për një lajm të mirë.
Pastaj lexoi Zbulesën 21:3, 4 dhe Gjonin 5:28, 29 dhe u shpjegoi se vdekja s’kishte qenë kurrë pjesë e qëllimit të Perëndisë. Madje u tregoi se së shpejti Zoti do t’i ringjallë të vdekurit dhe ata do të kenë mundësinë të jetojnë përgjithmonë në tokë. Në fund, shumë e përqafuan me ngrohtësi dhe e falënderuan «për lajmin e mirë nga Jehovai». Pastaj, Osmani u kthye te stenda.
Kur mbaroi funerali, disa nga të pikëlluarit erdhën te stenda ku ishte Osmani me familjen dhe filluan t’i pyesnin për Biblën. Ata biseduan gjerë e gjatë dhe morën pothuajse të gjitha botimet që ishin në stendë.