Një përmbytje që solli lajme të mira
Më 2017, 12 Dëshmitarë nisën një udhëtim me varkë nga Bregu i Mushkonjës (Miskito) në Nikaragua. Varka quhej Sturi Jamni. Stiveni, një pjesëtar i ekuipazhit, kujton: «Donim që të inkurajonim një grup të vogël vëllezërish në një zonë të largët dhe t’i ndihmonim të predikonin lajmin e mirë në atë territor të paanë.»
Grupi i Dëshmitarëve u nis nga Laguna e Perlës për të lundruar 200 kilometra në lumin Rio Grande de Matagalpa. Ama as që ua priste mendja fare se emri i varkës së tyre, «Lajmi i mirë» në gjuhën miskito, do të kishte një kuptim shumë të veçantë për banorët që jetonin përgjatë bregut të lumit. Pas rreth 12 orësh lundrim, pa llogaritur ndalesën gjatë natës, arritën në destinacion—në komunitetin e La Krus de Rio Grandes. Të gjashtë Dëshmitarët vendës i mikpritën ngrohtësisht vëllezërit e motrat.
Atë natë një stuhi e fuqishme shkaktoi shira të dendura në burim të Rio Grande de Matagalpës. Brenda pak orësh lumi doli nga shtrati dhe, për dy ditë me radhë, niveli i tij vazhdoi të rritej. Në La Krus u përmbytën Salla e Mbretërisë dhe shumë shtëpi. Vëllezërit vizitues ndihmuan vendësit të evakuoheshin nga shtëpitë. Shumica i kaloi dy netët vijuese në shtëpinë dykatëshe të një Dëshmitari.
Natën e tretë kryetari i bashkisë së La Krusit shkoi të takonte Dëshmitarët vizitues që t’u kërkonte ndihmë. Meqë Sturi Jamni ishte e vetmja varkë që mund të përballonte lundrimin në lumin e rrëmbyer, ai donte që ekuipazhi të transportonte skuadrën e punëtorëve, të cilët do të ndihmonin komunitetet e tjera të prekura. Dëshmitarët pranuan me kënaqësi.
Të nesërmen në mëngjes, tre Dëshmitarë u nisën me skuadrën e punëtorëve. Stiveni sjell ndër mend: «Lumi ishte egërsuar dhe kishte shkulur pemë gjigante që pluskonin në të. Madje kishte krijuar vorbulla të mëdha dhe shpejtësia e tij i kalonte 18 kilometrat në orë.» Pavarësisht nga kushtet e vështira, varka mbërriti në tri komunitete.
Të tre Dëshmitarët e shfrytëzuan këtë mundësi që t’u jepnin zemër vendësve, të cilët kishin aq shumë nevojë. Gjithashtu, shpërndanë revistën Zgjohuni! të 2017-s me titull Kur godet një katastrofë—Hapa jetëshpëtues.
Banorët e komuniteteve përgjatë lumit ishin shumë mirënjohës për ndihmën praktike që dhanë vëllezërit dhe inkurajimin nga Bibla. Disa vendës thanë: «Dëshmitarët u treguan të gatshëm të na ndihmonin në kohë të vështira.» Të tjerë pohuan: «Ata i duan vërtet njerëzit.» Pasi vunë re sa u përpoqën Dëshmitarët për të ndihmuar bashkëbesimtarët dhe të tjerët, shumë vendës ishin më të gatshëm t’ia vinin veshin mesazhit ngushëllues të Biblës.
Marko, një pjesëtar i varkës, lë Sturi Jamnin që t’u flasë për lajmin e mirë banorëve të fshatit
Sturi Jamni e ankoruar në një fshat të përmbytur