A është i saktë Përkthimi Bota e Re?
Pjesa e parë e Përkthimit Bota e Re doli në vitin 1950. Që nga ajo kohë, disa kanë komentuar ose kanë vënë në dyshim saktësinë e Përkthimit Bota e Re a, ngaqë në disa pjesë ndryshon nga përkthime të tjera të Biblës. Zakonisht, arsyet e këtyre ndryshimeve mund të klasifikohen në një nga kategoritë e mëposhtme.
Besueshmëria. Përkthimi Bota e Re bazohet në kërkime akademike të përditësuara dhe në dorëshkrimet më të besueshme të kohëve të lashta. Krejt ndryshe, përkthimi King James Version i vitit 1611 u bazua në dorëshkrime që shpesh ishin më pak të sakta dhe jo aq të vjetra sa dorëshkrimet që u përdorën për Përkthimin Bota e Re.
Besnikëria. Përkthimi Bota e Re përpiqet fort ta përcjellë besnikërisht mesazhin origjinal të frymëzuar nga Perëndia. (2 Timoteut 3:16) Shumë përkthime të Biblës sakrifikojnë besnikërinë ndaj mesazhit të Perëndisë që të ndjekin traditat njerëzore, për shembull duke zëvendësuar emrin e Perëndisë, Jehova, me tituj, si Zot ose Perëndi.
Përkthimi fjalë për fjalë. Ndryshe nga përkthimet e parafrazuara, Përkthimi Bota e Re bën përkthim fjalë për fjalë për aq kohë sa kjo nuk sjell një formulim të çuditshëm në fjali ose nuk fsheh idenë e shkrimeve origjinale. Përkthimet që parafrazojnë tekstin origjinal të Biblës, mund të futin mendime njerëzore ose të lënë pa përmendur hollësi të rëndësishme.
Dallimet mes Përkthimit Bota e Re dhe përkthimeve të tjera
Libra që mungojnë. Në Biblat e tyre, Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse përfshijnë libra që disa i njohin si libra apokrifë. Gjithsesi, këta libra nuk u pranuan në kanonin judaik, dhe vlen të përmendet ajo që thotë Bibla se judenjtë ishin ata të cilëve «iu besuan thëniet e shenjta të Perëndisë». (Romakëve 3:1, 2) Kështu, Përkthimi Bota e Re dhe shumë përkthime të sotme të Biblës me të drejtë i lënë jashtë librat apokrifë.
Vargje që mungojnë. Disa përkthime shtojnë vargje dhe shprehje që nuk gjenden në dorëshkrimet më të lashta të Biblës që disponohen, por Përkthimi Bota e Re i heq këto pjesë të shtuara. Shumë përkthime të sotme ose nuk i përmendin këto shtesa të mëvonshme, ose e pranojnë se ato nuk mbështeten nga shumë burime të autoritetshme. b
Mënyra të ndryshme të shprehuri. Me raste, përkthimet fjalë për fjalë janë të paqarta ose përcjellin ide tjetër. Për shembull, fjalët e Jezuit te Mateu 5:3 shpesh janë përkthyer: «Lum skamësit në frymë.» (Diodati i Ri; Bibla Simon Filipaj) Shumë vetave u duket i paqartë përkthimi «skamësit në frymë», kurse të tjerë mendojnë se këtu Jezui po theksonte vlerën e përulësisë ose të varfërisë. Megjithatë, Jezui donte të thoshte se lumturia e vërtetë vjen kur jemi të vetëdijshëm se kemi nevojë për udhëheqjen e Perëndisë. Përkthimi Bota e Re e përcjell saktë atë që donte të thoshte Jezui, duke e përkthyer «ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë».—Mateu 5:3.
Komente pozitive për Përkthimin Bota e Re nga studiues që nuk janë Dëshmitarë
Në një letër të datës 8 dhjetor 1950, një përkthyes dhe studiues i njohur i Biblës, Edgar J. Goodspeed, shkroi për Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re: «Jam i interesuar për veprën misionare të njerëzve tuaj dhe shtrirjen e saj mbarëbotërore, si edhe shumë i kënaqur me përkthimin e natyrshëm, të qartë dhe të gjallë. Ai paraqet një gamë të gjerë dijesh të shëndosha dhe serioze, siç mund ta dëshmoj edhe vetë.»
Profesori Allen Wikgren nga Universiteti i Çikagos e përmendi Përkthimin Bota e Re si shembull të një përkthimi me gjuhë bashkëkohore, i cili, në vend që të ketë ardhur nga përkthime të tjera, shpesh ka «mendime të shprehura në mënyrë të pavarur dhe të lavdërueshme».—The Interpreter’s Bible, vëllimi I, faqja 99.
Duke komentuar Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re, kritiku anglez i Biblës, Alexander Thomson, shkroi: «Duket qartë se përkthimi është vepër e studiuesve të aftë e të shkathët, të cilët janë përpjekur të paraqitin sa më shumë kuptimin e vërtetë të tekstit grek për aq sa gjuha angleze është në gjendje ta shprehë.»—The Differentiator, prill 1952, faqja 52.
Ndonëse u shpreh se disa pjesë të përkthyera i dukeshin të pazakonta, autori Charles Francis Potter tha: «S’ka dyshim se përkthyesit anonimë kanë përkthyer dorëshkrimet më të mira, si ato në greqisht, edhe në hebraisht, me aftësi dhe mendjemprehtësi akademike.»—The Faiths Men Live By, faqja 300.
Megjithëse mendonte se Përkthimi Bota e Re kishte edhe gjëra të çuditshme, edhe të shkëlqyera, Robert M. McCoy e përfundoi analizimin e tij duke thënë: «Përkthimi i Dhiatës së Re dëshmon se në lëvizjen [e Dëshmitarëve të Jehovait] ka studiues të kualifikuar që i trajtojnë me inteligjencë problemet e shumta të përkthimit të Biblës.»—Andover Newton Quarterly, janar 1963, faqja 31.
Profesori S. MacLean Gilmour, edhe pse nuk ishte dakord me disa pjesë të përkthyera te Përkthimi Bota e Re, prapëseprapë e pranoi se përkthyesit «ishin jashtëzakonisht kompetentë në gjuhën greke».—Andover Newton Quarterly, shtator 1966, faqja 26.
Në analizën që i bëri Përkthimit Bota e Re, i cili është pjesë e Kingdom Interlinear Translation of the Greek Scriptures, docenti Thomas N. Winter shkroi: «Përkthimi që bëri komiteti anonim, është krejtësisht i përditësuar dhe plotësisht i saktë.»—The Classical Journal, prill-maj 1974, faqja 376.
Profesori Benjamin Kedar Kopfstein, një studiues hebre në Izrael, tha në vitin 1989: «Në kërkimet e mia gjuhësore lidhur me pjesën hebraike të Biblës dhe përkthimet, shpesh i referohem një botimi në anglisht i cili njihet si Përkthimi Bota e Re. Duke bërë këtë, më përforcohet gjithnjë e më shumë mendimi se kjo vepër pasqyron një përpjekje të sinqertë për të arritur një kuptueshmëri sa më të saktë të tekstit.»
Bazuar në analizën që u bëri nëntë përkthimeve më kryesore në anglisht, Jason David BeDuhn, docent i studimeve fetare, shkroi: «Duke e krahasuar me përkthimet e tjera, BR-ja [Përkthimi Bota e Re] është më i sakti.» Megjithëse publiku i gjerë dhe shumë studiues të Biblës mendojnë se ndryshimet në Përkthimin Bota e Re janë rezultat i fanatizmit fetar të përkthyesve, BeDuhn tha: «Shumë ndryshime ekzistojnë ngaqë BR-ja ka saktësi tepër të madhe, pasi është përkthim fjalë për fjalë dhe besnik i shprehjeve origjinale të shkrimtarëve të Dhiatës së Re.»—Truth in Translation, faqet 163, 165.
a Komentet vlejnë për botimet e Përkthimit Bota e Re në anglisht para rishikimit të vitit 2013. Përkthimi Bota e Re në shqip bazohet në versionin në anglisht, por, për t’u siguruar për saktësinë, u jemi referuar edhe teksteve në gjuhët origjinale.
b Për shembull, shih përkthimet Diodati i Ri dhe Bibla ECM. Vargjet e shtuara janë Mateu 17:21; 18:11; 23:14; Marku 7:16; 9:44, 46; 11:26; 15:28; Luka 17:36; 23:17; Gjoni 5:4; Veprat 8:37; 15:34; 24:7; 28:29 dhe Romakëve 16:24. Versioni Diodati i Ri përmban një fragment trinitar te 1 Gjonit 5:7, 8, i cili u shtua qindra vjet pasi u shkrua Bibla.