9 GUSHT 2016
ARMENI
Grupi i parë i Dëshmitarëve të Jehovait në Armeni përfundon programin e shërbimit alternativ civil
Disa të rinj Dëshmitarë në Armeni, që përfitojnë nga programi i shërbimit alternativ civil, po punojnë me efektshmëri për të përmbushur detyrimin kombëtar. Më parë Dëshmitarët e Jehovait burgoseshin sepse nuk pranonin të kryenin shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje. Megjithatë, më 2013 Republika e Armenisë e ndryshoi legjislacionin dhe përfshiu shërbimin civil si alternativë për shërbimin ushtarak. Deri tani, në këtë program janë regjistruar më se 200 Dëshmitarë. Gjashtëmbëdhjetë Dëshmitarë e kanë përfunduar shërbimin e tyre kombëtar aty nga fundi i qershorit 2016.
Një program shërbimi alternativ civil i suksesshëm
Të rinjtë e parë Dëshmitarë që kanë përfunduar programin, fillimisht ishin burgosur ngaqë kishin refuzuar shërbimin ushtarak. Kur hyri në fuqi ligji i ri, këta Dëshmitarë u caktuan në programin e shërbimit alternativ civil. Që nga janari 2014 filluan të punonin si kopshtarë, pastrues rrugësh, ndihmës në spitale e klinika ose në punë të ndryshme.
Të rinjtë që kanë përfunduar caktimet e shërbimit alternativ civil i janë mirënjohës qeverisë që u dha mundësi të shërbenin në mënyra domethënëse, si edhe të punonin për të zbukuruar lagjen e tyre dhe për t’u kujdesur për nevojtarët. Me anë të këtij programi të ri, të rinjtë që përfunduan caktimin, mund të vazhdojnë të jenë pjesëtarë të dobishëm të shoqërisë pa njollën e të dënuarit.
Davit Arakelyan, 22 vjeç, e mbaroi shërbimin e tij alternativ civil si sanitar në një shtëpi për të moshuar. Ai komenton: «Shërbimi alternativ më ka ndihmuar të jem më serioz, më i përgjegjshëm dhe më punëtor. Jam i lumtur që e përmbusha detyrimin ndaj kombit në një mënyrë që u sjell dobi të tjerëve. Drejtuesit dhe stafi në shtëpinë e të moshuarve e madje disa që jetonin aty na lavdëruan për punën.» Mikhayil Manasyan, po ashtu 22 vjeç, u caktua të punonte në Ministrinë e Situatave Emergjente. Ai tha: «Teksa kryeja shërbimin, mësova edhe një zanat të ri që tani mund ta përdor për të filluar punë. Gjithashtu arrita të plotësoja shërbimin ndaj kombit pa më vrarë ndërgjegjja.»
A mund t’i nxitë eksperienca e Armenisë vendet e tjera të miratojnë shërbimin alternativ civil?
Kohët e fundit Armenia bëri hapa të mëtejshëm që të ndryshonte kushtetutën për të përfshirë njohjen e të drejtës së refuzimit të shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje. Neni 41(3) i kushtetutës së ndryshuar, i cili hyri në fuqi në dhjetor 2015, thotë: «Kur shërbimi ushtarak bie në kundërshtim me fenë ose me bindjet e një qytetari, këtij duhet t’i njihet e drejta ta zëvendësojë me shërbim alternativ sipas procedurës së përshkruar në ligj.» Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës e lavdëroi Armeninë që ndërmori një hap të tillë, duke e cilësuar «një mënyrë të jashtëzakonshme për të vënë në jetë vendimin që u mor në çështjen Bayatyan kundër Armenisë * e [që] duhet vlerësuar».
Ky program i shërbimit alternativ civil e vendos Armeninë në të njëjtin nivel me standardet ndërkombëtare. Armenia ka bërë progres, nga një qeverisje që ndëshkon ata që refuzojnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje, në një që respekton të drejtën e lirisë së ndërgjegjes. Dobitë e kësaj politike vlejnë si shembull për vendet e tjera që dënojnë ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Përvoja e Armenisë tregon qartë se zbatimi i këtij programi mund të plotësojë nevojat si të qeverisë, edhe të qytetarëve të saj.
Duke folur në emër të Dëshmitarëve të Jehovait në Armeni, Tigran Harutyunyan tha: «I jemi mirënjohës qeverisë armene që ka ndërmarrë hapa pozitivë për të siguruar mbrojtjen e të drejtave bazë të njeriut, përfshirë këtu të drejtën e refuzimit të shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje. Tani të rinjtë Dëshmitarë në Armeni mund të plotësojnë detyrimin ndaj qeverisë në një mënyrë që respekton ndërgjegjen e tyre dhe u sjell dobi të tjerëve.»
^ par. 8 Për çështjen Bayatyan kundër Armenisë ([GC], nr. 23459/03, GJEDNJ 2011) u mor një vendim i rëndësishëm nga Dhoma e Madhe e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Për të parën herë Gjykata vendosi se e drejta për të refuzuar shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje mbrohet plotësisht nga neni 9 (për lirinë e shprehjes, të ndërgjegjes dhe të fesë) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.