Kalo te përmbajtja

18 QERSHOR 2020
INDI

Skuadrat e përkthimit në Indi nuk i ndal pandemia

Skuadrat e përkthimit në Indi nuk i ndal pandemia

Pandemia e COVID-19 ka krijuar vështirësi të reja për 11 Zyrat Rajonale të Përkthimit (ZRP) në Indi, të cilat përkthejnë për 36 gjuhë. Me ndihmën e Jehovait, skuadrat e përkthimit po i kapërcejnë vështirësitë dhe po ecin me punën.

Përkthimi varet shumë nga bashkëpunimi. Por, ndërsa COVID-19 përhapej, India u izolua, duke e bërë të pamundur që përkthyesit të takoheshin personalisht. Po njësoj, edhe ata që punonin me regjistrimin e audiove dhe të videove nuk mund të mblidheshin së bashku për të bërë regjistrimet.

Në pamundësi për t’u mbledhur fizikisht, përkthimin dhe regjistrimin e bënë me anë të videokonferencave. Kjo metodë e re pune ka mundësuar që përkthyesit të marrin ndihmë nga vëllezër e motra të vendeve të tjera, si nga Bangladeshi dhe SHBA-ja.

Vëllezërit kanë gjetur edhe metoda kreative si të bëjnë videot për gjuhën e shenjave duke ruajtur distancimin fizik. Disa përkthyes e kanë kthyer dhomën e gjumit në studio dhe kanë improvizuar për sa u përket pajisjeve të regjistrimit. Kanë përdorur kamerën e celularit në vend të një videokamere të sofistikuar dhe kuti kartoni për të zëvendësuar këmbalecin e kamerës.

Gjithashtu, përkthyesit e ZRP-ve mbështeten te Jehovai për ndihmë që të ruajnë pozitivitetin dhe të jenë produktivë gjatë kësaj periudhe. Ja disa nga pohimet e tyre:

Vëlla Xhose Fransis nga Kalkuta tha: «Kur janë para një vështirësie, njerëzit shohin problemin, kurse Jehovai sheh zgjidhjen.»

Motër Bindu Rani Kandan nga Bangaluri tha: «Kur mendoj se Jehovai po më përdor në këtë periudhë të rrezikshme, provoj gëzim të madh pavarësisht nga vështirësitë.»

Motër Rubina Patel nga Vadodara u shpreh kështu: «Asgjë s’e ndal dot Jehovain dhe organizatën e tij, as koronavirusi.»

Jemi krenarë për vëllezërit e motrat që po punojnë fort me përkthimin. Jemi të sigurt se pas rezultateve të mira fshihet fryma e shenjtë e fuqishme e Jehovait dhe se falë kësaj fryme të shenjtë do të realizohet profecia e Jezuit: «Ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, e atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14.