Kalo te përmbajtja

27 KORRIK 2015
RUSI

Rusia ndalon sitin zyrtar të Dëshmitarëve të Jehovait

Rusia ndalon sitin zyrtar të Dëshmitarëve të Jehovait

Shtatë muaj pasi Gjykata e Lartë e Federatës Ruse e shpalli ekstremist sitin www.ps8318.com, autoritetet ruse e ndaluan këtë sit zyrtar të Dëshmitarëve të Jehovait. Ndalimi hyri në fuqi më 21 korrik 2015, kur Ministria e Drejtësisë e Federatës Ruse shtoi sitin jw.org në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste. Anembanë Rusisë, kompanitë që ofrojnë shërbimin e Internetit e kanë bllokuar këtë sit dhe tani brenda vendit konsiderohet vepër penale të nxitësh të tjerët ta përdorin. Rusia është i vetmi vend në botë që ndalon sitin jw.org.

Ngjarje që çuan në ndalimin e JW.ORG

Në vitin 2013 Dëshmitarët e Jehovait në Rusi nuk ishin në dijeni se autoritetet e qytetit të Tverit kishin nisur në fshehtësi procedimin ligjor për të vënë në shënjestër sitin. Prokurori i Tverit kishte paraqitur një ankesë pranë Gjykatës së Krahinës Centralnëj me anë të së cilës kërkonte që jw.org të ndalohej, sepse përmbante disa botime fetare të Dëshmitarëve të Jehovait që ishin shpallur ekstremiste në vendimet e mëparshme të gjykatave ruse. * Më 7 gusht 2013 gjykata krahinore e pranoi kërkesën e prokurorit pa i njoftuar Dëshmitarët e Jehovait dhe e shpalli ekstremist sitin jw.org.

Dëshmitarët morën vesh për vendimin nga mediat vendëse një muaj më vonë dhe menjëherë apeluan e vullnetarisht hoqën nga siti botimet në fjalë për përdoruesit në Rusi. Më 22 janar 2014 Gjykata Rajonale e Tverit e anuloi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, duke deklaruar se gjykata nuk kishte asnjë bazë ligjore për të ndaluar jw.org dhe se ajo duhej të kishte ftuar në gjyq edhe palën që kishte të drejtën e autorit të sitit.

I pakënaqur me vendimin e gjykatës rajonale, S. G. Kehlerovi, zëvendësprokurori i përgjithshëm, apeloi pranë Gjykatës së Lartë të Federatës Ruse. Dëshmitarët nuk u njoftuan siç duhej për seancën. Megjithatë, më 2 dhjetor 2014, në mungesë të palës mbrojtëse, Gjykata e Lartë mori në shqyrtim kërkesën e prokurorit për anulimin e vendimit.

Gjykata e Lartë e pranoi se Dëshmitarët i kishin hequr botimet pak kohë pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë në gusht 2013, por u shpreh pa ndonjë bazë se këto botime mund të rishfaqeshin në sit. Prandaj, gjykata vendosi të anulonte vendimin e gjykatës rajonale dhe të rikthente vendimin e gjykatës së shkallës së parë duke e shpallur ekstremist sitin jw.org. * Dëshmitarët e Jehovait apeluan pranë Gjykatës së Lartë për ta rishikuar vendimin, por gjykata nuk e pranoi. Gjithashtu bënë apel pranë Kryetarit të Gjykatës së Lartë, i cili e hodhi poshtë më 8 korrik 2015.

Vendimi kërcënon lirinë fetare

Për Dëshmitarët e Jehovait vendimi i Gjykatës së Lartë është arbitrar dhe i pabazë, sepse asnjë botim fetar i shpallur si ekstremist nuk është shfaqur në jw.org në Rusi që prej vjeshtës së 2013-s. Si pasojë e vendimit, autoritetet ruse i kanë urdhëruar kompanitë që ofrojnë Internet, të bllokojnë sitin jw.org brenda Rusisë. Kjo u ka hequr mundësinë përdoruesve të sitit të lexojnë Biblën në mbi 130 gjuhë dhe botimet biblike në mbi 700 gjuhë, përfshirë gjuhën ruse dhe ruse të shenjave. Kushdo në Rusi që i nxit të tjerët të përdorin sitin, tani mund të ndiqet në rrugë administrative ose penale për të ashtuquajturën veprimtari ekstremiste. Si pasojë e këtij ndalimi, më tepër se 170.000 Dëshmitarë të Jehovait nuk mund të hyjnë më në këtë sit që për ta është burim jetësor për të forcuar besimin dhe për të adhuruar Zotin përditë.

Për disa zyrtarë rusë, vendimi i Gjykatës së Lartë është një mjet tjetër për të shtypur veprimtaritë fetare paqësore të Dëshmitarëve të Jehovait. Për sa kohë disa zyrtarë të këmbëngulin duke keqzbatuar Ligjin për kundërveprim ndaj veprimtarive ekstremiste, liria fetare në Rusi do të kufizohet dhe do të kërcënohet më tej. Dëshmitarët e Jehovait shpresojnë sinqerisht që zyrtarë pa paragjykime të mbrojnë të drejtën themelore të njeriut për lirinë e adhurimit e të gjykimit të paanshëm, siç garantohet nga marrëveshjet ndërkombëtare të Rusisë dhe nga kushtetuta e saj.

^ par. 4 Deri më 1 qershor 2015 gjykatat ruse kishin shpallur ekstremiste 78 botime të Dëshmitarëve të Jehovait. Dëshmitarët po i kundërshtojnë këto vendime si në gjykatat vendëse, edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

^ par. 7 Konkretisht, zëvendësprokurori apeloi që të anulohej vendimi dhe për këtë çështje vendosi Dhoma Gjyqësore e Gjykatës së Lartë për Çështjet Civile.