Kalo te përmbajtja

9 NËNTOR 2012
SHTETET E BASHKUARA

Uragani Sendi godet Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara

Uragani Sendi godet Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara

NJU-JORK—Më 29 tetor 2012, uragani Sendi shkatërroi shumë zona përgjatë Bregut Lindor të Shteteve të Bashkuara. Dëshmitarët e Jehovait po bashkëpunojnë me autoritetet vendëse për të ndihmuar bashkëbesimtarët dhe viktima të tjera të katastrofës.

Afro 200.000 Dëshmitarë jetojnë në shtetet ku stuhia goditi më fort. Mes Dëshmitarëve që jetojnë në zonat më të prekura nuk pati raporte vdekjeje, përveç dy të dëmtuarve lehtë. Në Xhorxhia erërat e forta rrëzuan një degë peme që dëmtoi rëndë fëmijën e vogël të një çifti, i cili shkon në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Sipas raporteve, fëmija ndodhet ende në kushte kritike. Dëshmitarë vendës dhe të tjerë në atë zonë që morën vesh për fëmijën me anë të medias, po e mbështetin pa u kursyer familjen e tij.

Stuhia ka ndërprerë komunikimin e drejtpërdrejtë me mjaft zona. Kur të ndreqen sistemet e telekomunikacionit, do të jetë i mundur një vlerësim më i saktë i dëmeve.

Raportet fillestare nga zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara, tregojnë se nuk ka pasur të vdekur, përveç një dëmtimi të vogël në godinat e zyrës. Stuhia shkaktoi dëme relativisht të vogla te godinat e selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Erërat e forta e flakën tutje një pjesë të fasadës së një godine, por askush nuk u dëmtua nga kjo. Pati ndërprerje të energjisë elektrike në godinat e zyrës së degës në Patterson dhe Wallkill, Nju-Jork. Këto godina punuan përkohësisht me gjenerator, kurse kompleksi në Warwick punon ende me gjenerator. Stuhia ndërpreu edhe shërbimet e telekomunikacionit në këto godina.

Gjithashtu, raportet fillestare tregojnë se: 12 shtëpi adhurimi që i përdorin Dëshmitarët, të quajtura Salla Mbretërie, u dëmtuan rëndë nga përmbytjet ose erërat e forta; 219 shtëpi të Dëshmitarëve pësuan dëme të rënda nga stuhia, 169 shtëpi pësuan dëme jo të rënda dhe 710 të tjera dëme të lehta. Në këto zona janë organizuar skuadra me Dëshmitarë për të ndihmuar dhe po bashkëpunojnë me autoritetet lokale që të plotësojnë nevojat urgjente të bashkadhuruesve dhe të viktimave të tjera.

Para se të niste uragani, kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait u nxitën të zbatonin një plan evakuimi të sigurt. Më tepër se 1.100 Dëshmitarë u shpërngulën para se të vinte stuhia. Dëshmitarët vendës po hapin shtëpitë për të strehuar bashkëbesimtarët që janë të pastrehë ose që kanë një kohë të gjatë pa energji elektrike në shtëpitë e tyre.

Dëshmitarë vullnetarë po punojnë fort që të kujdesen për nevojat e bashkadhuruesve dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. J. R. Brown, zëdhënës i Dëshmitarëve në selinë botërore thotë: «Shprehim merakun tonë të thellë për të gjitha viktimat e kësaj katastrofe me pasoja të rënda. Jemi të kënaqur që mund t’i ndihmojmë të tjerët, sidomos familjen tonë të bashkadhuruesve që po vuajnë pasojat e kësaj stuhie masive. Mendojmë dhe lutemi vazhdimisht për ta.»

Zëdhënësi për mediat:

J. R. Brown, Office of Public Information, tel. +1 718 560 5000