13 SHTATOR 2023
SPANJË
Prezantohet në Spanjë, në tri gjuhë, Ungjilli i Mateut dhe Veprat e Apostujve
Më 2 shtator 2023, Dëshmitarët e Jehovait prezantuan Biblën—Ungjilli sipas Mateut dhe Veprat e Apostujve në tri gjuhë: baske, galiciane dhe valenciane. Në rajonet e Spanjës ku fliten këto gjuhë, u mbajtën programe speciale dhe motra e vëllezër nga 42 kongregacione ishin të ftuar për të marrë pjesë fizikisht. Pas prezantimit, këta libra të Biblës u vunë menjëherë në dispozicion në formatin elektronik për të tria gjuhët. Kur të përkthehen të gjithë librat e Shkrimeve të Krishtere Greke, do të kenë në dispozicion edhe formatin e shtypur.
Baske
Vëlla Xhon Bërsnelli, anëtar i Komitetit të Degës në Spanjë, prezantoi Biblën—Ungjilli sipas Mateut dhe Veprat e Apostujve në gjuhën baske, në një Sallë Mbretërie të qytetit të Vitoria-Gastejzit. Fizikisht ishin të pranishëm 216 veta dhe 353 të tjerë u lidhën me videokonferencë. Kjo është hera e parë që një pjesë e Përkthimit Bota e Re vihet në dispozicion në gjuhën baske.
Në Spanjë dhe në jug të Francës ka afërsisht 1,2 milion njerëz që flasin baske. Në Spanjë, ka 233 lajmëtarë që flasin baske të shpërndarë në 4 kongregacione, 2 grupe dhe 3 paragrupe.
Një vëllai që flet baske, i bënë shumë përshtypje fjalët e Jehovait te Mateu 3:17: «Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë e kam miratuar.» Ai tha: «Në Përkthimin Bota e Re, termi «i dashur» është përcjellë duke përdorur fjalën kattuna. Në gjuhën baske, kjo fjalë përshkruan më së miri idenë e një miqësie të ngushtë e të dashur. Ajo tregon qartë dashurinë e thellë që Jehovai ka për Birin e tij.»
Galiciane
Vëlla Jyrgën Vajand, anëtar i Komitetit të Degës në Spanjë, prezantoi Biblën—Ungjilli sipas Mateut dhe Veprat e Apostujve. Ky event u zhvillua në Palacio de Congresos e Exposicións de Galicia në Santiago-de-Kompostela, ku fizikisht ishin të pranishëm 611 veta dhe 552 të tjerë e ndoqën me videokonferencë. Në Spanjë ka mbi 2 milionë njerëz që flasin gjuhën galiciane. Rreth 1.000 vëllezër e motra shërbejnë në 18 kongregacione të kësaj gjuhe, të shpërndarë në të gjithë vendin.
Një motër komentoi: «Përkthimi Bota e Re përdor të njëjtën gjuhë galiciane që flas me familjen time. Tingëllon kaq natyrshëm kur e lexoj me zë.»
Valenciane
Vëlla Andres Major, anëtar i Komitetit të Degës në Spanjë, prezantoi Biblën—Ungjilli sipas Mateut dhe Veprat e Apostujve në gjuhën valenciane. Në Sallën e Asambleve të Benidormit ishin fizikisht të pranishëm 595 veta e 702 të tjerë të lidhur me videokonferencë. Kjo gjuhë flitet nga thuajse 2,5 milionë njerëz. Në Spanjë ka mbi 750 vëllezër e motra që shërbejnë në 15 kongregacione të gjuhës valenciane.
Bibla e parë e përkthyer në valenciane daton aty nga fillimi i shekullit XV. Një vëlla vërejti: «Deri më sot, emri i Jehovait nuk ka figuruar kurrë në një Bibël të gjuhës valenciane. Tani mezi pres t’u tregoj vargje me emrin Jehova, njerëzve që flasin valenciane.»
Gëzojmë edhe ne që vëllezërit e motrat që flasin baske, galiciane dhe valenciane kanë libra të Biblës në këto gjuhë. Jemi të sigurt se nga këta libra do të përfitojnë lajmëtarët dhe të tjerë që kërkojnë ‘njohurinë e saktë të së vërtetës’.—1 Timoteut 2:4.