A e ndalon Bibla kënaqësinë seksuale?
Përgjigjja e Biblës
Bibla nuk e ndalon kënaqësinë seksuale, por tregon se është dhuratë nga Perëndia për të martuarit. Ai i krijoi njerëzit «mashkull dhe femër» dhe pa se ajo që kishte bërë, ishte «shumë mirë». (Zanafilla 1:27, 31) Kur i bashkoi në martesë burrin dhe gruan e parë, Perëndia tha se ata ‘do të bëheshin një mish i vetëm’. (Zanafilla 2:24) Kjo lidhje përfshinte kënaqësinë e intimitetit seksual bashkë me një lidhje të ngushtë emocionale.
Bibla e përshkruan me këto fjalë kënaqësinë që provojnë burrat në martesë: «Gëzo me gruan e rinisë sate . . . Gjinjtë e saj të të dehin gjithë kohës. Nga dashuria e saj qofsh vazhdimisht i dalldisur!» (Proverbat 5:18, 19) Edhe Perëndia dëshiron që seksi t’u sjellë kënaqësi grave. Bibla thotë: «Burrat dhe gratë duhet të plotësojnë nevojat seksuale të njëri-tjetrit.»—1 Korintasve 7:3, God’s Word Bible.
Kufizime për kënaqësinë seksuale
Perëndia i rezervon marrëdhëniet seksuale vetëm për të martuarit, siç tregon Hebrenjve 13:4: «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.» Çiftet e martuara duhet të tregojnë besnikëri dhe të jenë gjithmonë të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit. Ata gjejnë kënaqësi të madhe jo duke rendur pas kënaqësisë së tyre egoiste, por duke zbatuar parimin biblik: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»—Veprat 20:35.