Çfarë është Bibla?
Përgjigjja e Biblës
Bibla është një koleksion me 66 libra të shenjtë. Ajo u shkrua gjatë një periudhe rreth 1.600-vjeçare. Bibla përmban një mesazh nga Perëndia—«fjalën e Perëndisë».—1 Selanikasve 2:13.
Në këtë artikull
Fakte rreth Biblës
Kush e shkroi Biblën? Autori i Biblës është Perëndia, por ai përdori rreth 40 burra për ta hedhur me shkrim atë. Ndër këta burra mund të përmendim Moisiun, mbretin David, Mateun, Markun, Lukën dhe Gjonin. a Zoti futi mendimet e Tij në mendjet e shkrimtarëve, që të dokumentonin mesazhin e Tij.—2 Timoteut 3:16.
Ta ilustrojmë: një biznesmen e udhëzon sekretarin të shkruajë një mesazh në emër të tij, mbase edhe duke i treguar idenë kryesore të këtij mesazhi. Gjithsesi, autori i mesazhit mbetet biznesmeni. Po kështu, edhe pse Zoti përdori disa burra për të hedhur me shkrim mesazhin e tij, Autori i vërtetë i Biblës mbetet Zoti.
Çfarë kuptimi ka fjala «Bibël»? Fjala «Bibël» vjen nga fjala greke biblia, që do të thotë «libra të vegjël». Me kalimin e kohës, biblia u përdor për të përshkruar gjithë koleksionin e librave të vegjël që formojnë Biblën.
Kur u shkrua Bibla? Bibla nisi të shkruhej në vitin 1513 p.e.s. dhe përfundoi mbi 1.600 vjet më vonë, rreth vitit 98 të e.s.
Ku ndodhet Bibla origjinale? Nga sa dihet deri më sot, nuk ka mbijetuar asnjë dorëshkrim origjinal i Biblës. Kjo pasi shkrimtarët e saj përdorën materialet që disponoheshin në atë kohë të cilat prisheshin, të tilla, si papiruset dhe pergamenat. Megjithatë, për shekuj me radhë skribët i kopjuan e rikopjuan me saktësi deri në detaje dorëshkrimet e Biblës, duke e ruajtur kështu përmbajtjen e saj për ata që do ta lexonin në të ardhmen.
Çfarë janë «Dhiata e Vjetër» dhe «Dhiata e Re»? Ajo që njihet gjerësisht si Dhiata e Vjetër i referohet asaj pjese të Biblës që u shkrua kryesisht në hebraisht b e që njihet edhe si Shkrimet Hebraike. Kurse ajo që njihet si Dhiata e Re i referohet pjesës që u shkrua në greqisht e që njihet edhe si Shkrimet e Krishtere Greke. Të dyja këto pjesë përbëjnë librin e plotë, që quhet edhe Shkrimet e Shenjta. c
Çfarë përmban Bibla? Pjesë të ndryshme të Biblës përmbajnë histori, ligje, profeci, poezi, proverba, këngë dhe letra.—Shih « Lista e librave të Biblës».
Për çfarë flet Bibla?
Në fillim Bibla tregon shkurtimisht se si Perëndia i Plotfuqishëm krijoi qiellin dhe tokën. Nëpërmjet Biblës, ai na prezantohet me emrin e tij, Jehova, dhe i fton njerëzit që ta njohin.—Psalmi 83:18.
Bibla shpjegon se për Perëndinë janë thënë gënjeshtra dhe tregon si do ta vërë në vend ai reputacionin e tij.
Ajo zbulon qëllimin që ka Zoti për njerëzimin dhe për tokën. Tregon se në të ardhmen Zoti do të eliminojë të gjitha shkaqet e vuajtjeve.
Gjithashtu na jep këshilla praktike edhe për jetën e përditshme. Për shembull, ajo na mëson:
Si të ruajmë marrëdhënie të mira me të tjerët. «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»—Mateu 7:12.
Kuptimi: Duhet t’i trajtojmë të tjerët ashtu si do të donim të na trajtonin.
Si të përballojmë stresin. «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.»—Mateu 6:34.
Kuptimi: Në vend që të shqetësohemi tepër për atë që mund të ndodhë në të ardhmen, bëjmë mirë t’i marrim ditët një e nga një.
Si të kesh një martesë të lumtur. «Secili nga ju duhet ta dojë gruan si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin.»—Efesianëve 5:33.
Kuptimi: Dashuria dhe respekti janë thelbësore për një martesë të suksesshme.
A është ndryshuar Bibla?
Jo. Studiuesit i kanë krahasuar me kujdes dorëshkrimet e lashta të Biblës me Biblën që kemi sot dhe kanë parë se në thelb mesazhi i saj origjinal nuk ka ndryshuar. Dhe kjo ka kuptim, se në fund të fundit, meqë Perëndia do që njerëzit ta lexojnë dhe ta kuptojnë mesazhin e tij, a nuk është logjike që Ai të sigurohej që mesazhi i tij të mos ndryshohej? d—Isaia 40:8.
Pse ka kaq shumë përkthime të Biblës?
Shumë lexues sot nuk i kuptojnë dot gjuhët e lashta në të cilat u shkrua Bibla. Mirëpo Bibla përmban «një lajm të mirë» për ‘çdo komb, fis dhe gjuhë’. (Zbulesa 14:6) Për këtë arsye, njerëzit kanë nevojë për një përkthim të Biblës në një gjuhë që e kuptojnë, në mënyrë që ta lexojnë dhe ta kuptojnë siç duhet mesazhin e Perëndisë.
Ka tri lloje përkthimesh të Biblës:
Përkthimi fjalë për fjalë është sa më literal të jetë e mundur.
Përkthimi që përcjell idetë, përdor fjalë që përcjellin kuptimin e tekstit në gjuhën origjinale.
Përkthimi i parafrazuar i lë dorë të lirë përkthyesit me synimin për ta bërë më të këndshëm leximin. Mirëpo kështu, ndryshimet e shumta të tekstit ndonjëherë e ndryshojnë kuptimin e vërtetë të një fragmenti.
Një përkthim i mirë i Biblës drejtpeshon përkthimin fjalë për fjalë me gjuhën e sotme të kuptueshme, për të përcjellë me saktësi mesazhin e Perëndisë për njerëzimin. e
Kush e vendosi se cilat fragmente duheshin bërë pjesë të Biblës?
Si Autori i saj, Perëndia vendosi se cilat fragmente duhej të bëheshin pjesë e Biblës. Në fillim zgjodhi kombin e lashtë të Izraelit që ‘t’i besonte thëniet e Tij të shenjta’, si kujdestarë të Shkrimeve Hebraike.—Romakëve 3:2.
A ka libra të Biblës që kanë humbur ndër vite?
Jo. Bibla është e plotë; nuk ka libra «të humbur». Ka nga ata që pretendojnë se disa libra të lashtë të fshehur prej kohësh, i takojnë Biblës. f Mirëpo, vetë Bibla përmban standardin që përcakton autenticitetin e librave që i përkasin asaj. (2 Timoteut 1:13, shënimi.) Në bazë të këtij standardi, librat e Biblës që janë të frymëzuar nga Perëndia, janë plotësisht në harmoni me njëri-tjetrin. Nuk ndodh njësoj me të gjitha dorëshkrimet e lashta që disa individë pretendojnë se i përkasin Biblës. g
Si ta gjej një varg në Bibël
Lista e librave të Biblës
a Për të parë listën e plotë të të gjithë librave të Biblës, si edhe kush i shkroi dhe kur i shkroi, të lutemi shih «Tabela e librave të Biblës».
b Disa pjesë të vogla të Biblës u shkruan në aramaisht, një gjuhë shumë e ngjashme me hebraishten.
c Mjaft lexues të Biblës preferojnë shprehjet «Shkrimet Hebraike» dhe «Shkrimet e Krishtere Greke». Këta terma nuk lënë përshtypjen sikur «Dhiatës së Vjetër» i ka ikur koha dhe është zëvendësuar me «Dhiatën e Re».
d Shih artikullin «A ka ndryshuar Bibla?»
e Shumë vetave u pëlqen të lexojnë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, sepse është një përkthim i saktë dhe i lehtë për t’u lexuar. Shih artikullin «A është i saktë Përkthimi Bota e Re?»
f Të gjithë këta libra së bashku quhen shkrimet apokrife. Sipas Encyclopædia Britannica «në literaturën për Biblën, [kjo shprehje u referohet] shkrimeve që nuk janë pjesë e kanonit të pranuar të shkrimeve»—pra, nuk janë në listën e librave të pranuar si pjesë e Biblës.
g Për të mësuar më shumë, shih artikullin «Ungjijtë apokrifë: A janë të vërteta të fshehura rreth Jezuit?»