Kush ishte gruaja e Kainit?
Përgjigjja e Biblës
Kaini, fëmija më i madh i çiftit të parë njerëzor, u martua me një nga motrat e tij ose me një të afërme tjetër. Këtë përfundim e nxjerrim duke shqyrtuar atë çka thotë Bibla për Kainin dhe familjen e tij.
Fakte për Kainin dhe familjen e tij
Të gjithë njerëzit janë pasardhës të Adamit dhe të Evës. Bibla thotë për Perëndinë se «nga një njeri i vetëm [Adami] ai bëri të gjitha kombet, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut». (Veprat 17:26) Eva, gruaja e Adamit, u bë «nëna e gjithë të gjallëve». (Zanafilla 3:20) Kështu që Kaini duhet të jetë martuar me një nga pasardhëset e Adamit dhe të Evës.
Kaini dhe i vëllai, Abeli, ishin të parët nga disa fëmijë që lindi Eva. (Zanafilla 4:1, 2) Kur Kaini u dëbua ngaqë vrau vëllanë, u ankua: «Kushdo që më gjen, do të më vrasë.» (Zanafilla 4:14) Po nga kush kishte frikë? Bibla thotë se Adamit «i lindën bij e bija». (Zanafilla 5:4) Është e qartë se Kaini mund të ishte në rrezik për shkak të pasardhësve të tjerë të Adamit dhe të Evës.
Në fillimet e historisë njerëzore nuk ishte e pazakontë martesa me një të afërm. Për shembull, Abrahami besnik u martua me gjysmëmotrën e tij. (Zanafilla 20:12) Kjo lloj martese u ndalua për herë të parë në Ligjin e Moisiut, i cili u dha shekuj pas Kainit. (Levitiku 18:9, 12, 13) Me sa duket, në atë kohë fëmijët që lindnin nga martesa me të afërmit e ngushtë nuk ishin aq të rrezikuar nga defektet gjenetike sa në ditët tona.
Bibla e paraqet si histori të saktë tregimin e Adamit, të Evës dhe të familjes së tyre. Gjenealogji të hollësishme që nga Adami, i gjejmë jo vetëm te libri i Zanafillës, që u shkrua nga Moisiu, por edhe në shkrimet e dy historianëve, Ezdrës dhe Lukës. (Zanafilla 5:3-5; 1 Kronikave 1:1-4; Luka 3:38) Shkrimtarët e Biblës i referohen historisë së Kainit si ngjarje e vërtetë.—Hebrenjve 11:4; 1 Gjonit 3:12; Juda 11.