Kalo te përmbajtja

Çfarë është Tora?

Çfarë është Tora?

Përgjigjja e Biblës

 Fjala «Tora» vjen nga fjala hebraike tohráh, e cila mund të përkthehet «udhëzim», «mësim» ose «ligj». a (Proverbat 1:8, Diodati i Ri; 3:1; 28:4) Shembujt e mëposhtëm tregojnë si përdoret në Bibël kjo fjalë hebraike.

  •   Tohráh shpesh u referohet pesë librave të parë të Biblës: Zanafilla, Dalja, Levitiku, Numrat dhe Ligji i përtërirë. Këta libra quhen edhe Pentateuku, që vjen nga një fjalë greke e cila ka kuptimin «volum pesëfish». Torën e shkroi Moisiu, prandaj është quajtur edhe ‘libri i ligjit të Moisiut’. (Josiu 8:​31; Nehemia 8:1) Me sa duket, si fillim u shkrua si një libër i vetëm, por më vonë u nda që të përdorej më kollaj.

  •   Tohráh u referohet edhe ligjeve që iu dhanë Izraelit për çështje të caktuara, si «ligji [tohráh] i blatimit për mëkatin», «ligji për lebrën» dhe «ligji për nazireun».​—Levitiku 6:​25; 14:57; Numrat 6:​13.

  •   Tohráh ndonjëherë u referohet udhëzimeve dhe mësimeve të prindërve, të njerëzve të mençur ose të vetë Perëndisë.​—Proverbat 1:8; 3:1; 13:14; Isaia 2:3.

Çfarë përmban Tora, ose Pentateuku?

Ide të gabuara për Torën

 Ide e gabuar: Ligjet e Torës janë të përhershme dhe duhen zbatuar gjithmonë.

 Fakt: Disa përkthime të Biblës u referohen disa ligjeve specifike të Torës​—ku përfshihen edhe ato që lidhen me Sabatin, priftërinë dhe Ditën e Shlyerjes​—si ‘të përhershme’ ose që zgjatin «në kohë të pafundme». (Dalja 31:16; 40:15; Levitiku 16:33, 34) Megjithatë, fjala hebraike e përdorur në këto vargje mund të ketë edhe kuptimin që zgjat për një kohë të pacaktuar e jo medoemos përgjithmonë. b Besëlidhja e Ligjit të Moisiut kishte qenë në fuqi për rreth 900 vjet kur Perëndia paratha se do ta zëvendësonte me «një besëlidhje të re». (Jeremia 31:31-​33) «Duke thënë ‘një besëlidhje e re’, [Perëndia] e ka vjetruar të mëparshmen [besëlidhjen].» (Hebrenjve 8:​7-​13) Ajo u zëvendësua rreth 2.000 vjet më parë nëpërmjet vdekjes së Jezu Krishtit.​—Efesianëve 2:​15.

 Ide e gabuar: Traditat judaike të përcjella gojarisht dhe Talmudi kanë të njëjtin autoritet si Tora e shkruar.

 Fakt: Në Shkrime nuk ka prova se Perëndia i dha Moisiut një ligj gojor bashkë me Torën e shkruar. Përkundrazi, Bibla pohon: «Jehovai i tha përsëri Moisiut: ‘Shkruaji këto fjalë.’» (Dalja 34:27) Ligji gojor​—që më vonë u hodh me shkrim dhe u njoh si Mishna dhe në fund u zgjerua në atë që njihet si Talmudi​—përmban traditat judaike që nisën farisenjtë. Shpesh këto tradita binin ndesh me Torën. Për këtë arsye, Jezui u tha farisenjve: «E keni bërë fjalën e Perëndisë të pavlefshme, për shkak të traditës suaj.»​—Mateu 15:​1-9.

 Ide e gabuar: Grave nuk duhet t’u mësohet Tora.

 Fakt: Ligji i Moisiut përmbante një urdhër që i gjithë Ligji të lexohej para popullit të Izraelit, ku përfshiheshin gratë dhe fëmijët. Pse? «Që [populli] të dëgjojë e të mësojë, pasi ai duhet t’i frikësohet Jehovait, Perëndisë [së tij], dhe të përmbushë me kujdes të gjitha fjalët e këtij ligji.»​—Ligji i përtërirë 31:10-​12. c

 Ide e gabuar: Tora përmban mesazhe sekrete.

 Fakt: Moisiu, i cili dokumentoi Torën, tha se mesazhi i saj është i qartë dhe i thjeshtë për të gjithë, e nuk është i fshehur në ndonjë kod sekret. (Ligji i përtërirë 30:11-​14) Teoria se Tora përmban mesazhe të fshehura, i ka rrënjët te Kabala, ose misticizmi tradicional judaik, që përdor metoda «të sajuara me mjeshtëri» për të interpretuar Shkrimet. d​—2 Pjetrit 1:​16.

a Shih versionin e rishikuar të The Strongest Strong’s Exhaustive Concordance of the Bible, zëri 8451 në pjesën Hebrew-Aramaic Dictionary-Index to the Old Testament.

b Shih Theological Wordbook of the Old Testament, vëllimi 2, faqet 672-​673.

c Ndryshe nga çfarë mësonte vetë Tora, shpesh tradita ligjore judaike i ndalonte gratë që të studionin Torën. Për shembull, Mishna citon fjalët e rabinit Eliezer ben Hirkani: «Kushdo që i mëson së bijës Torën, po i mëson ndyrësi.» (Sotah 3:4) Talmudi i Jerusalemit përmban pohimin e këtij rabini: «Fjalët e Torës më mirë të shkatërrohen me zjarr se t’u mësohen grave.»​—Sotah 3:​19a.

d Për shembull, Enciklopedia Judaike e përshkruan me këto fjalë pikëpamjen e Kabalës për Torën: «Tora nuk nënkupton diçka specifike, por në bazë të interpretimeve të ndryshme mund të nënkuptojë gjëra të ndryshme.»—Botimi i dytë, vëllimi 11, faqja 659.