Çfarë thotë Bibla për virgjëreshën Mari?
Përgjigjja e Biblës
Bibla thotë se Maria, nëna e Jezuit, pati privilegjin unik ta lindte Jezuin kur ishte ende e virgjër. Bibla e kishte parathënë këtë mrekulli në librin e Isaisë dhe përmbushja e saj përmendet në Ungjijtë e Mateut e të Lukës.
Në një profeci për lindjen e Mesisë, Isaia paratha: «Ja, vasha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë.» (Isaia 7:14) Nën frymëzim hyjnor, Mateu, një nga shkrimtarët e Ungjijve, e lidhi profecinë e Isaisë me ngeljen shtatzënë të Marisë. Pasi tha se Maria ngeli shtatzënë me anë të një mrekullie, Mateu shtoi: «Në të vërtetë, e gjithë kjo ndodhi që të përmbushej ajo që Jehovai kishte thënë nëpërmjet profetit të tij: ‘Ja, virgjëresha a do të mbetet shtatzënë e do të lindë një djalë dhe do t’ia vënë emrin Emanuel’, që kur përkthehet do të thotë: ‘Me ne është Perëndia.’»—Mateu 1:22, 23.
Edhe Luka, një tjetër shkrimtar i Ungjijve, dokumentoi për shtatzëninë e Marisë që ndodhi me anë të një mrekullie. Ai shkroi se Perëndia e dërgoi engjëllin Gabriel «te një virgjëreshë e fejuar me një burrë të quajtur Jozef, nga shtëpia e Davidit. Emri i virgjëreshës ishte Mari». (Luka 1:26, 27) Maria e pohoi edhe vetë se ishte e virgjër. Pasi dëgjoi se do të bëhej nëna e Jezuit, e Mesisë, Maria pyeti: «Si do të ndodhë kjo, kur unë s’kam pasur kurrë marrëdhënie me një burrë?»—Luka 1:34.
Si mund të lindte një virgjëreshë?
Maria ngeli shtatzënë me anë të frymës së shenjtë, që është forca e Perëndisë në veprim. (Mateu 1:18) Marisë iu tha: «Fryma e shenjtë do të vijë te ti dhe fuqia e Më të Lartit do të të mbulojë. Për këtë arsye, ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë.» b (Luka 1:35) Me anë të një mrekullie, Perëndia e transferoi jetën e Birit të tij në barkun e Marisë, duke bërë që ajo të ngelte shtatzënë.
Për ç’qëllim lindi nga një virgjëreshë?
Mrekullia që bëri Perëndia, që një vajzë e virgjër të lindte, mundësoi që Jezui të kishte një trup të përsosur njerëzor. Ja pse Jezui mund ta shpëtonte njerëzimin nga mëkati dhe vdekja. (Gjoni 3:16; Hebrenjve 10:5) Perëndia e transferoi jetën e Jezuit në barkun e Marisë. Prandaj, me sa duket, fryma e shenjtë e Perëndisë e mbrojti nga çdo papërsosmëri embrionin e krijuar.—Luka 1:35.
Kështu, Jezui lindi si njeri i përsosur, njësoj siç ishte Adami para se të mëkatonte. Bibla thotë për Jezuin: «Ai nuk kreu asnjë mëkat.» (1 Pjetrit 2:22) Si njeri i përsosur, Jezui mund të paguante shpërblesën për t’i çliruar njerëzit nga mëkati dhe vdekja.—1 Korintasve 15:21, 22; 1 Timoteut 2:5, 6.
A mbeti e virgjër Maria?
Bibla nuk thotë se Maria mbeti e virgjër gjithë jetën. Përkundrazi, ajo tregon se Maria lindi fëmijë të tjerë.—Mateu 12:46; Marku 6:3; Luka 2:7; Gjoni 7:5.
A ishte lindja e Jezuit «Ngjizja Pa Mëkat»?
Jo. Sipas New Catholic Encyclopedia, doktrina e Ngjizjes Pa Mëkat «është besimi se virgjëresha Mari ishte e pastër nga MËKATI FILLESTAR që në zanafillë të jetës së saj, domethënë që në ngjizje. Pjesa tjetër e njerëzimit trashëgon një natyrë njerëzore të infektuar nga mëkati . . . Por Maria, me anë të PËLQIMIT HYJNOR unik, nuk u prek asnjëherë nga mëkati fillestar». c
Krejt ndryshe, Bibla nuk thotë në asnjë vend se Maria ishte e paprekur nga mëkati fillestar. (Psalmi 51:5; Romakëve 5:12) Në fakt, Maria dha prova se kishte trashëguar mëkatin kur paraqiti flijimin për shlyerjen e mëkatit që u kërkonte Ligji i Moisiut nënave. (Levitiku 12:2-8; Luka 2:21-24) Te New Catholic Encyclopedia thuhet: «Ngjizja pa mëkat nuk mësohet nga Shkrimet . . . Është mësim i Kishës.»
Si duhet ta konsiderojmë Marinë?
Maria na ka lënë një shembull të shkëlqyer për besimin, bindjen, përulësinë dhe dashurinë e thellë për Perëndinë. Renditet mes personave besnikë që nxitemi t’i imitojmë.—Hebrenjve 6:12.
Prapëseprapë, pavarësisht nga roli unik si nëna e Jezuit, Bibla nuk mëson se duhet ta adhurojmë ose t’i lutemi Marisë. Jezui nuk i dha nënës së tij nderim të veçantë, as u tha dishepujve të vepronin kështu. Në fakt, përveç tregimeve të Ungjijve dhe një rasti të vetëm në librin e Veprave, Maria nuk përmendet në 22 librat e tjerë të asaj që quhet Dhiata e Re.—Veprat 1:14.
Në Shkrime nuk gjendet asnjë dëshmi që të krishterët e shekullit të parë t’i kenë kushtuar vëmendje të veçantë Marisë—aq më tepër përnderim. Përkundrazi, Bibla mëson se të krishterët duhet të adhurojnë vetëm Perëndinë.—Mateu 4:10.
a Fjala hebraike e përkthyer ‘vashë’ në profecinë e Isaisë është ʽalmáh, e cila mund t’i referohet si një vajze të virgjër, edhe asaj jo të virgjër. Gjithsesi, nën frymëzim hyjnor, Mateu përdori fjalën parthénos, një fjalë më specifike që do të thotë «e virgjër».
b Disa e kundërshtojnë termin «Bir i Perëndisë», pasi, sipas tyre, kjo nënkupton se Perëndia kreu marrëdhënie seksuale me një grua. Megjithatë, Shkrimet nuk e mësojnë këtë ide. Përkundrazi, Bibla e quan Jezuin ‘Bir të Perëndisë’ dhe «i parëlinduri i gjithë krijimit», sepse ishte i pari dhe i vetmi që Perëndia e krijoi vetë. (Kolosianëve 1:13-15) Bibla e quan edhe njeriun e parë, Adamin, ‘bir të Perëndisë’. (Luka 3:38) E quan kështu, sepse Adamin e krijoi Perëndia.
c Botimi i dytë, vëllimi 7, faqja 331.