Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Jeremia 11:11—«Unë do të sjell mbi ta një gjëmë»

Jeremia 11:11—«Unë do të sjell mbi ta një gjëmë»

«Prandaj kështu thotë Jehovai: ‘Ja, unë po sjell kundër tyre një të keqe nga e cila nuk do të shpëtojnë dot. Kur të më thërrasin për ndihmë, unë s’do t’i dëgjoj.’»—Jeremia 11:11, Përkthimi Bota e Re.

«Prandaj kështu thotë Zoti: ‘Ja, unë do të sjell mbi ta një gjëmë, nga e cila nuk do të mund të shpëtojnë. Ata do të më klithin, por unë nuk do t’i dëgjoj.’»—Jeremia 11:11, Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94.

Kuptimi i Jeremisë 11:11

 Perëndia po u drejtohej judenjve që jetonin në ditët e profetit Jeremia. Ngaqë shpërfillnin ligjet e drejta të Jehovait a dhe ndreqjen që profetët e tij u jepnin me dashuri, Perëndia nuk do t’i mbronte nga pasojat tragjike të udhëve të tyre të gabuara.—Proverbat 1:24-32.

 «Prandaj kështu thotë Jehovai.» Fjala «prandaj» lidh vargjet pararendëse me ato pasuese. Te Jeremia 11:1-10, Jehovai i tha popullit të tij se e kishin shkelur besëlidhjen ose marrëveshjen e pandryshueshme që paraardhësit e tyre kishin bërë me Perëndinë. (Eksodi 24:7) Në vend që të adhuronin Krijuesin e tyre, judenjtë u përkuleshin idhujve. Kjo apostazi ushqeu çdo lloj ligësie, përfshirë flijimin e fëmijëve.—Jeremia 7:31.

 «Ja, unë po sjell kundër tyre një të keqe.» Shpesh kur në Bibël thuhet që Perëndia bën diçka, nënkupton që ai thjesht po e lejon të ndodhë. Pse themi që kjo vlen edhe për atë situatë? Duke iu drejtuar perëndive të rreme dhe duke shpërfillur standardet e dobishme të Jehovait, populli i shkaktoi vetes vuajtje të mëdha. Gjithashtu humbën mbrojtjen e Perëndisë. Si pasojë, një armik i fuqishëm—mbreti i Babilonisë—arriti të pushtonte Jerusalemin dhe t’i çonte në mërgim banorët e tij. Perënditë e rreme, ku populli kishte besuar, nuk i shpëtuan dot.—Jeremia 11:12; 25:8, 9.

 «Kur të më thërrasin për ndihmë, unë s’do t’i dëgjoj.» Jehovai nuk i dëgjon lutjet e atyre që i kanë «duart tërë gjak» ose të atyre që shpëtimin e kërkojnë nga perënditë e rreme. (Isaia 1:15; 42:17) Por dëgjon lutjet e atyre që pendohen sinqerisht për udhët e tyre të gabuara dhe me përulësi kthehen tek ai.—Isaia 1:16-19; 55:6, 7.

Konteksti i Jeremisë 11:11

 Në vitin 647 p.e.s., Jehovai caktoi Jereminë si profet. Për 40 vjet, Jeremia paralajmëroi popullin e Judës për gjykimin që do të sillte Perëndia. Por ata nuk ia vunë veshin. Gjatë asaj periudhe, profeti shkroi fjalët që gjejmë te Jeremia 11:11. Në fund, në vitin 607 p.e.s., kur Babilonia shkatërroi Jerusalemin, paralajmërimet profetike u plotësuan.—Jeremia 6:6-8; 39:1, 2, 8, 9.

 Por libri i Jeremisë ka edhe një mesazh shprese. Jehovai tha: «Pasi të kalojnë 70 vjet në Babiloni, . . . do ta mbaj premtimin duke ju kthyer në këtë vend [atdheu i judenjve].» (Jeremia 29:10) Jehovai ‘e mbajti premtimin’ më 537 p.e.s., kur Babiloninë e pushtuan medët dhe persët. Jehovai lejoi që populli i tij, i shpërndarë në gjithë perandorinë, të kthehej në vendin e vet e të rivendoste adhurimin e pastër.—2 Kronikave 36:22, 23; Jeremia 29:14.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Jeremisë.

a Jehova është përkthimi i zakonshëm në shqip i katër shkronjave hebraike që formojnë emrin e Perëndisë. Për të kuptuar pse mjaft përkthime të Biblës e kanë zëvendësuar emrin e Perëndisë me titullin Zot, lexo artikullin «Kush është Jehovai?»