SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Jeremia 29:11—«I njoh mendimet që kam për ju»
«Unë e di mirë ç’mendoj për ju,—thotë Jehovai. a—Dua që të keni paqe, dhe jo të këqija. Dua t’ju jap një të ardhme plot shpresë.»—Jeremia 29:11, Përkthimi Bota e Re.
«I njoh mendimet që kam për ju», thotë Zoti, «mendime paqeje dhe jo të së keqes, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë.»—Jeremia 29:11, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.
Kuptimi i Jeremisë 29:11
Perëndia Jehova po u premtonte adhuruesve të tij se kishte ndër mend t’u siguronte një të ardhme plot paqe. Edhe pse teksti i Jeremisë 29:11 u shkrua për njerëzit e asaj kohe, ai pasqyron edhe sot mendimet e Perëndisë. Ai është «Perëndia që jep shpresë». (Romakëve 15:13) Faktikisht, ai i dokumentoi premtime të tilla në Bibël, që «të kemi shpresë» për një të ardhme më të mirë.—Romakëve 15:4.
Konteksti i Jeremisë 29:11
Këto fjalë janë fragment i një letre dërguar izraelitëve të çuar rob nga Jerusalemi në Babiloni. b (Jeremia 29:1) Perëndia u tha të mërguarve se robëria e tyre do të ishte e gjatë, prandaj duhej të ndërtonin shtëpi, të mbillnin kopshte dhe të ngrinin familje. (Jeremia 29:4-9) Por shtoi: «Pasi të kalojnë 70 vjet në Babiloni, unë do ta drejtoj vëmendjen nga ju dhe do ta mbaj premtimin duke ju kthyer në [Jerusalem].» (Jeremia 29:10) Me këto fjalë, Perëndia po i siguronte se nuk do t’i linte në harresë dhe se shpresa e tyre për t’u kthyer në atdhe do të realizohej.—Jeremia 31:16, 17.
Perëndia e mbajti fjalën që u dha izraelitëve. Siç kishte parathënë, Babilonia u mposht nga Kiri, mbreti i Persisë. (Isaia 45:1, 2; Jeremia 51:30-32) Më pas Kiri u dha leje judenjve të ktheheshin në vendin e tyre. Pas 70 vjetësh mërgim, u kthyen në Jerusalem.—2 Kronikave 36:20-23; Ezdra 3:1.
Fakti që premtimi i Jeremisë 29:11 u realizua, është garanci për të gjithë ata që shpresojnë te premtimet e Perëndisë. Ndër to është premtimi që paqja do të kaplojë tokën mbarë falë Mbretërisë së Perëndisë me mbret Jezu Krishtin.—Psalmi 37:10, 11, 29; Isaia 55:11; Mateu 6:10.
Ide e gabuar për Jereminë 29:11
Ideja e gabuar: Perëndia vendos të ardhmen e çdo individi.
Fakti: Perëndia i lë njerëzit të zgjedhin vetë çfarë do të bëjnë me jetën e e tyre. Fjalët e Jeremisë 29:11 u ishin drejtuar të gjithë izraelitëve në Babiloni dhe Perëndia kishte diçka në mendje për ta si grup—një të ardhme plot paqe. (Jeremia 29: 4) Megjithatë lejoi që secili të zgjidhte nëse do të përfitonte nga ky premtim apo jo. (Ligji i përtërirë 30:19, 20; Jeremia 29:32) Ata që zgjodhën të kërkonin Perëndinë, e bënë këtë duke iu lutur me gjithë zemër.—Jeremia 29:12, 13.
Lexo kapitullin 29 të Jeremisë bashkë me shënimet shpjeguese dhe referimet.
a Jehova është emri i Perëndisë.—Psalmi 83:18.
b Për Jereminë 29:11, The Expositor’s Bible Commentary thotë: «Ky është një ndër premtimet më të jashtëzakonshme që gjenden në Bibël, i cili shpreh zemërdhembshurinë e Jahveut [Jehovait] për të mërguarit dhe u tregon se, më në fund, kanë arsye pse të jenë optimistë dhe të kenë shpresë.»—Vëllimi 7, faqja 360.